Anëtarësohuni  Harruat?   

Skena e Pavarur Kulturore

Më datë 4 Maj 2013, pas një sërë takimish dhe konsultimesh me organizata dhe individë që operojnë në fushën e artit dhe kulturës u vendos krijimi i RRJETIT.

Më poshtë motivacioni që çoi në këtë vendim:
Nisur nga nevoja dhe dëshira për një bashkëpunim më të ngushtë brenda Skenës së Pavarur Kulturore (SPK), organizata të shoqërisë civile dhe individë që operojnë në fushën e artit dhe kulturës, vendosën të bashkojnë forcat për të nxitur energjitë krijuese, për të mbështetur prodhimin dhe inovacionin kulturor, forcimin e kapaciteteve menaxheriale, zhvillimin e dialogut kulturor, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe për të ndërtuar një klimë të qëndrueshme të Skenës së Pavarur Kulturore.

Nevoja për të krijuar këtë RRJET lindi nga mungesa e lehtësirave për veprimtaritë kulturore e artistike, mosfinancimi dhe pabarazia e aksesit ndaj fondeve publike për artin dhe kulturën në Shqipëri.

Qëllimi kryesor i SPK është të sigurojë kushte të barabarta veprimtarie të krahasuara me ato të institucioneve publike, dhe të përmirësojë pozitën e njerëzve të artit dhe kulturës në shoqërinë shqiptare.

Bazuar në mirëkuptimin reciprok, në harmoni me identitetin dhe misionin e secilës organizatë dhe të individëve, SPK u krijua si një RRJET i hapur jo-formal, me dimension publik, e fokusuar në zhvillimin dhe mirëfunksionimin e Skenës së Pavarur Kulturore në Shqipëri. Të gjithë themeluesit bashkuan vullnetin dhe nevojën për një bashkëpunim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar me Skenat e Pavarura në Ballkanin Perëndimor. Rrjeti u krijua si një platformë që synon të ndikojë publikun, dhe autoritetet shtetërore që të krijojnë kushtet dhe legjislacionin e përshtatshëm që kjo skenë të funksionojë.

Bazuar në këto parime SPK ka për qëllim:

Krijimin e një RRJETI që përfshin organizata kulturore dhe individë
Demokratizimin e pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes së aktorëve të përfshirë në këtë RRJET
Krijimin e një RRJETI me karakter dinamik, e cila vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë, në mbarë hapësirën Shqiptare, e më gjerë
Përmirësimin e politikave kulturore që do të nxisnin një zhvillim më të shpejtë kulturor


Fushat e veprimit:

politika kulturore, kerkim/statistika/tregues kulturor, industri krijuese, trashëgimi kulturore, turizem kulturor, kinema, arte pamore, muzike, arte skenike, legjislacion/konsultim/advocacy, marketing kulturor, menaxhim arti, kulture e dixhitalizuar diversitet kulturor, bashkepunim nderkulturor, media, botime.