Anëtarësohuni  Harruat?   

MBI ROLIN E ARTISTIT NË SHOQËRI

MBI ROLIN E ARTISTIT NË SHOQËRI. (SOFIA KALO)

Në filozofinë perëndimore, teoria se arti duhet të ketë një funksion të ndërgjegjshëm shoqëror e ka zanafillën ndoshta që në teoritë e Platonit mbi artin dhe të bukurën, më saktësisht në Simpoziumin dhe Republikën, ku ai propozon se arti i mirëfilltë duhet të shprehë vlera superlative moralo-estetike, vlera të cilat do të siguronin formimin e duhur të udhëheqësve apo mbrojtësve të një qytet-shteti ideal.

Në shekujt që vijuan korpusi i filozofisë perëndimore ka përcjellë teori të ndryshme të cilat kanë marrë përsipër të përkufizojnë artin, marrëdhënien që ka me të bukurën, si edhe rolin e tij ndërpersonal, teori të cilat padyshim kanë pasqyruar ideologjinë e kohës që u ka dhënë frymë.

Sigurisht edhe ideja që arti duhet të ketë një funksion shoqëror është ritrajtuar dhe limuar në momente të ndryshme historike, qofshin motivet kryesore ndërgjegjësimi moralo-fetar i masave; vënia në dukje se potenciali më i lartë i artit është aftësia e tij për të folur mbi jetën njerëzore në mënyra të atilla që mund të krijojnë solidaritet në shoqëri; apo rindërtimi dhe unifikimi i realitetit mbas mohimit të tij.

Shfaqja më ekstreme e frymës së këtyre teorive, pa sugjeruar asnjë lidhje direkte, ka marrë trajta shtypëse dhe militante në sistemet diktatoriale, mes të tjerash, atij të Frankos në Spanjë, Nazizmit në Gjermani, Stalinizmit në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e ish-demokracive popullore duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Në rastin e diktaturës në Shqipëri, ideologjia e Realizmit Socialist u ndikua rëndshëm dhe në mënyrë afatgjatë nga mantra Staliniste që artistët janë inxhinierë te shpirtrave njerëzorë, dhe që kishte si synim kryesor indoktrinimin e masave dhe disiplinimin e tyre në subjekte komuniste apo, metaforikisht, krijimin e Njeriut të Ri.

Pra, në thelb, arti i Realizmit Socialist pati një rol të rëndësishëm social dhe politik, një rol që qeveria nuk pranonte me çdo kusht të dilte jashtë parametrave të vendosur nga vetë ajo.

Dhe kjo nuk ndodhi kot apo rastësisht, por ndodhi sepse fuqia që arti mund të ketë mbi realitetin shoqëror konsiderohej apriori. Kjo ndodhi sepse teorikisht edhe praktikisht ishte pranuar se artisti nuk punon asnjëherë në vakuum.

Artisti dhe puna e vet janë pjesë e një sistemi ekonomik, ideologjik dhe vlerësues, faktorë të cilët mund të jenë shumë kufizues, siç ka ndodhur në të kaluarën e Shqipërisë, por edhe shumë emancipues nëpërmjet kritikave që ata të lejojnë apo detyrojnë të shtrosh.

Shtysë për këtë shkrim u bë pikërisht mungesa e theksuar, me vetëm disa përjashtime, e kritikës socio-politike në veprimtaritë e skenës artistike në vend dhe më së fundi konferenca e organizuar nga ArtKontakt (Janar 2010) mbi artin bashkëkohor në Shqipëri, ku një nga temat e parashtruara si më të rëndësishme për diskutim por çuditërisht të paktrajtuara ishte roli i artistit në shoqëri.

Dëshira ime është që, nëpërmjet vënies në dukje të mungesës së këtij diskutimi, të mundohem të rihap temën e shtruar gjatë konferencës.

Dikotomia dikur e ngurtë subjekt-objekt ka kohë që trajtohet edhe si një lidhje dialektike. Pra, subjektet (njerëzit) jo vetëm që krijojnë dhe përdorin objekte materiale (p.sh. objekte arti), por edhe mund të motivohen dhe manipulohen nga ato (objektet). Objekti në efektin e vet nuk është asnjëherë thjesht një pasqyrues i realitetit siç është i perceptuar ai (realiteti) nga subjekti. Pra ai nuk është statik edhe pse në pamje mund të duket i tillë.

Objektet materiale, qofshin këto brenda apo jashtë lëmit të artit (sido që mund të përkufizohet ky në një kontekst të caktuar) janë instrumente të fuqishme komunikimi që evokojnë emocione, ndjellin ide dhe që nëpërmjet afektit të tyre mund të provokojnë veprimtari politike dhe shoqërore.

Si të tilla prodhimet/krijimet artistike kanë potencial për të vënë gjëra në pyetje qoftë nëpërmjet efektit parësor që ato mund të kenë (me këtë dua të them efektin që vetë krijuesi dëshiron apo tenton të ketë tek shikuesi) por edhe atë dytësorin (pra efektet/ndikimet e mundshme që objekti i artit mund të ketë tek ndërgjegjja e atyre që e shohin dhe, si rrjedhojë, përjetojnë, efekte që dalin jashtë parashikimit të krijuesve të tyre), diferencim ky jo i imi por i antropologut Anglez, Alfred Gell i cili veprimtarinë më të larmishme e ka patur në vitet ’80 dhe ’90. Këtu nuk bëhet fjalë aspak për efekte tru-shpëlarëse apo prezantime tezash dogmatike, por për një efekt sado të vogël, ama ndikues, që artisti dhe krijimtaria e vet mund të sjellë tek idetë e spektatorëve nëpërmjet prezantimit të alternativave që mundëson realiteti.

Që artisti, nëpërmjet punës së vet e ka të mundur të artikulojë, kërkojë e pse jo edhe të propagandojë një alternativë tjetër nga ajo që e ballafaqon, kjo tashmë është më se e qartë. Po ashtu është e qartë që artikulime apo kritika të kësaj natyre ndaj situatës së sotshme politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri mungojnë.

T’i rikthehem pyetjes titullare të këtij shkrimi: Çfarë shënon heshtja? Ose: pse i druhet artisti Shqiptar efektit që puna e vet mund të ketë tek shoqëria duke as mos tentuar ta ketë një efekt të tillë?

Ku janë thirrjet që artikulojnë, kritikojnë apo i komunikojnë me publikun problemet e shumta të shoqërisë së sotshme shqiptare që po përjetohen si në gjumë edhe pse jo pa lëngata?

Përgjigjja e vetme që mund të jap është se, nëse ato ekzistojnë, jehonat e këtyre thirrjeve nuk dëgjohen. Dhe kjo është vërtet e dhimbshme sepse ekzistenca e tyre do të përbënte një nga hapat e parë jo thjesht kundrejt ndërgjegjësimit – sepse jam e sigurt se shumë prej nesh jemi të ndërgjegjshëm për ç’po ndodh rreth nesh – por kundrejt marrjes së guximit për të denoncuar pakënaqësinë, dhimbjen, fyerjen, lodhjen e përjetuar, qoftë në të tashmen, qoftë në të kaluarën e afërt efekti i së cilës ka ngelur po aq i paartikuluar.

Ndaj kur flitet për mungesën totale të vlerave (me burim nga jashtë e sidomos nga brenda) në skenën e artit Shqiptar dhe evidentimit eventual të tyre, diskutime të cilat vazhdojnë të jenë në qarkullim ciklik ama pa konkluzione orientuese, ideja e artit si kritikë sociale dhe politike është një ide praktika e së cilës duhet të konsiderohet seriozisht si një nga vlerat kryesore të art-prodhimit bashkëkohor pikërisht sepse ajo mund t’u përgjigjet më zhurmshëm nevojave të realitetit të sotshëm.

Sofia Kalo | 09/03/2010 | Gazeta Shekulli

Ju lutemi lidhuni që të bëni një koment.

Komente (0)

Nuk ka asnjë koment.