Anëtarësohuni  Harruat?   

Arti dhe kultura ngjajnë me pacientin në vdekje klinike nga Bekim Lumi

Arti dhe kultura ngjajnë me pacientin në vdekje klinike (Bekim Lumi)

Marë nga KOSOVAPRESS

Ministria e Kulturës ka qenë dhe vazhdon të jetë një institucion qeveritar tejet i politizuar dhe me diskursin e saj burokratik, partiak, politik e thellësisht konservativ, ajo më tepër e ka penguar dhe hendikepuar, sesa që e ka mbështetur apo ndihmuar zhvillimin e artit e të kulturës në vendin tonë, ka thënë në një intervistë për Kosovapress, Bekim Lumi regjisor dhe pedagog universitar në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ai ka shtuar se kjo Ministri ka nevojë për ndryshime të thella e rrënjësore, por sipas tij ndryshimet nuk mund t’i bëjnë e as t’i udhëheqin nomenklaturat partiake – politike.

Sipas tij, teatri ynë duhet të jetë pjesë e natyrshme e orbitës skenike botërore, por për të ndodhur kjo teatri duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga diletantët dhe estradistët, nga të patalentuarit dhe profiterët, nga mercenarët dhe hileqarët, si dhe nga plagjiatorët dhe imituesit.

ndryshojë edhe mendësia primitive e thellësisht shpërfillëse e shtetit, i cili, nga lëmosha dhe mëshira, mbështetjen financiare për kinematografinë duhet ta shndërrojë në prioritet të politikave të tij kulturore.

Kosovapress: Në çfarë gjendje është arti dhe kultura sot në Kosovë?

Lumi: Nuk e teproj, përkundrazi e pohoj një të vërtetë të dhimbshme, madje edhe dramatike, kur them se aktualisht, arti dhe kultura në Kosovë ngjajnë me gjendjen e një pacienti në vdekje klinike. Në vend se shenja apo ngjyra të identitetit e të përfaqësimit tonë kombëtar e shtetëror, çfarë në të vërtetë do të duhej të ishin, ato me gjendjen e tyre të mjerë e gati të pashpresë, janë shndërruar në simptome të “sarillëkut” shpirtëror e identitar të njerëzve të këtij vendi. Prandaj, para se për art e kulturë të mirëfilltë, në Kosovë sot mund të flitet për kiç, shund e estradizëm. Thënë shkurt e shqip: Kosova vuan nga dergja e tmerrshme e akulturimit. Tekefundit nuk mund të pritet më shumë e as gjendje tjetër nga kjo që është, kur dihet se kultura, kaq tmerrshëm dhe kaq mjerueshëm, përfiton shumë pak (diku rreth 1 %) nga buxheti i përgjithshëm shtetëror i këtij vendi. Qenia, veprimi dhe funksionimi i institucioneve artistike e kulturore publike, të cilat, në të vërtetë, ekzistojnë më shumë formalisht se substancialisht, nuk mund të na shërbejë si arsyetim e as si alibi për mjerimin tonë kulturor e artistik. Për më tepër, kjo gjendje e padinjitetshme dhe kaq e përdalë kulturore nuk e amniston dot nga pesha e fajit as elitën artistike, kulturore e akademike, e as “elitën” politike e shtetërore vendore, sidomos politikanët në pozitë e opozitë dhe qeveritarët tanë duhet ta kuptojnë se çështja e emancipimit artistik e kulturor të vendit tonë nuk është çështje e përmbushjes së egos apo e andrallave të disa artistëve e krijuesve të “ndërkryer”, “tekanjozë” e “ëndërrimtarë”, por, para së gjithash, është çështje e përcaktimit, e zhvillimit dhe e shenjimit të identitetit kulturor të një kombi e të një vendi, i cili, në kontekstin e integrimeve europiane dhe në kontekstin e pozicionimit të tij global, nëse jo me fuqinë e tij politike apo ekonomike, mund dhe duhet ta tërheqë vëmendjen dhe simpatinë e të tjerëve me përcaktimin dhe identitetin e tij kulturor e artistik. Them, prandaj se në politikat e përgjithshme shtetërore, arti dhe kutura duhet të jenë prioritet i këtij vendi.

Kosovapress: A ka prodhuar Kosova pas luftës ndonjë film të vlefshëm në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar?

Lumi: Kinematografia vazhdon të jetë një nga artet më pak produktive dhe më pak cilësore në Kosovën e mbasluftës. Kjo, sigurisht, vazhdon të ndodhë për shkak të buxhetit tmerrësisht të vobektë dhe për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme financiare institucionale e të mungesës së politikave adekuate për zhvillimin e kinematografisë vendore. Nuk mund të pretendosh të bësh film me një buxhet qesharak prej 600.000 eurosh, i cili edhe ashtu, në shumën e tij kaq simbolike, shpërndahet nëpër disa të ashtuquajtura projekte filmike. Në të vërtetë, ky nuk është buxhet për filmin, por është “buxhet” për improvizimin, për mashtrimin dhe për iluzionin tonë filmik. Sigurisht, niveli i kinematografisë vendore vazhdon të jetë i ulët edhe për shkak të mungesës së kreacioneve të mirëfillta filmike (skenarëve dhe regjisë), të cilat me ndonjë përjashtim tepër të rrallë, ende nuk i plotësojnë standardet artistike dhe teknike për të qenë pjesë e konkurrencës zyrtare në festivalet prestigjioze europiane dhe botërore. Përveç kësaj, në Kosovë ende nuk kemi menaxherë e as producentë seriozë, të cilët do të ishin në gjendje t’i plasojnë produket tona artistike në botën perëndimore. Megjithatë, në këtë atmosferë krijuese krejtësisht të palakmueshme e kaq të padinjitetshme për kinematografinë vendore, unë do të veçoja sidomos filmin “Kthimi” të regjisores Blerta Zeqiri, e cila, edhe pse pa asnjë mbështetje financiare institucionale, me këtë film të metrazhit të shkurtë dhe me disa kreacione të tjera filmike i ka sjellë Kosovës disa çmime ndërkombëtare të rëndësishme. Mendoj, prandaj, se kineastët e talentuar, të cilët me artin e tyre ia dalin t’i promovojnë dinjitetshëm ngjyrat dhe identitetin artistik e shtetëror të vendit tonë, duhet të gëzojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare institucionale. Gjithashtu, vlerësoj se po aq sa në tryezat dhe forumet politike, diplomatike e ekonomike ndërkombëtare, Kosova me kinematografinë dhe me artet e saj, duhet të jetë vazhdimisht e pranishme në festivalet, bienalet, forumet dhe ngjarjet e rëndësishme artistike e kulturore botërore, e sidomos në ato europiane. Është koha që institucionet përkatëse vendore, para së gjithash ato shtetërore, ta kuptojnë se kinematografia është thënë figurativisht, pasaporta kulturore e një vendi dhe se përtej kontekstit artistik e kulturor, investimi për kinematografinë, veç tjerash, mund t’i shërbejë jashtëzakonisht shumë edhe kontekstit politik e diplomatik, përkatësisht promovimit të shtetësisë së vendit tonë.

Kosovapress: Si do të arrihej filmi i suksesshëm në Kosovë?

Lumi: Kosova dhe njerëzit e saj e kanë rrëfimin e tyre. Në të vërtetë njerëzit e këtij nënqielli kanë rrëfime të shumta, të cilat një brez tjetër krijues më i vëmendshëm, më i përgjegjshëm, më i guximshëm dhe më i talentuar se ky që aktualisht e kemi do të dinte t’i pikaste dhe t’i përjetësonte filmikisht. Kjo deri tani ka ndodhur shumë pak. Për më keq, në disa raste, për shkak të skenarëve të dobët e të trajtimit regjisorial po aq të dobët, disa filma me temë e fabulë nga rrëfimi i Kosovës, apo më saktë nga lufta e saj e fundit, kanë filluar dhe kanë përfunduar si projekte të dështuara kinematografike. Sigurisht, një pjesë e madhe e këtij dështimi lidhet edhe me mbështetjen e vogël financiare institucionale, me mungesën e mbështetjes financiare nga fusha e biznesit, me mungesën e produksioneve serioze filmike dhe me mungesën e bashkëpunimit e të koproduksioneve kinematografike. Në këtë kontekst, mendoj se për kushtet dhe rrethanat në të cilat krijohet dhe vepron kinematografia kosovare, një shans më i madh për të do të mund të ishin koproduksionet me kompani filmike nga vende të ndryshme. Kjo do të mund të bëhej sidomos përmes koproduksioneve me Shqipërinë. Bashkëpunimi, qoftë ky në nivel artistik, teknik apo financiar, e lehtëson realizimin e një filmi. Në botën e qytetëruar perëndimore koproduksionet konsiderohen jo vetëm të nevojshme, por pa ato nuk mund të kuptohet asnjë nga trendet aktuale në industrinë kinematografike. Për mua si krijues i artit duket e çuditshme dhe krejt e parrokshme mungesa e bashkëpunimit kinematografik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Për fat të keq, kineastët shqiptarë në të dy anët e kufirit ende nuk e kanë kuptuar se gjuha e përbashkët është një mundësi më tepër për tregun e tyre kinematografik. Ata gjithashtu, ende nuk e kanë kuptuar se buxheti i vogël, me të cilin zakonisht, në fushën e filmit, veprojnë të dy vendet të paktën me gjendjen e tanishme buxhetore, mund të sanohet deri diku përmes koproduksioneve kinematografike. Por në fund të fundit, edhe nëse një bashkëpunim i tillë do të ndodhte, filmin e suksesshëm, para se çdo koproduksion apo bashkëpunim, e bëjnë artistët dhe ekipet e profesionalizuara, e bëjnë skenarët e krijuar mbi rrëfime tronditëse, prekëse, njerëzore e imagjinative, e bën loja e bukur e aktorëve dhe trajtimi kreativ regjisorial i skenarit dhe përgjithësisht i materies filmike. Gjendja aktuale në fushën e kinematografisë te ne e shtron si domosdoshmëri tejkalimin e mendësisë provinciale artistike dhe zbatimin e standardeve krijuese e teknike bashkëkohore. Krahas me këtë, duhet të ndryshojë edhe mendësia primitive e thellësisht shpërfillëse e shtetit, i cili, nga lëmosha dhe mëshira, mbështetjen financiare për kinematografinë duhet ta shndërrojë në prioritet të politikave të tij kulturore.

Kosovapress: Çka i mungon skenës teatrore në Kosovë?

Skenës teatrore në Kosovë i mungon shumëçka nga ajo që në çdo vend normal të botës e ka apo do të duhej ta kishte një skenë teatrore. Kështu së pari, kësaj skene i mungon logjistika dhe infrastruktura përkatëse; së dyti, i mungojnë hapësirat adekuate e të mjaftueshme për zhvillimin dhe kultivimin e artit e të kulturës teatrore; së treti, i mungon mbështetja solide buxhetore dhe institucionale; së katërti, i mungojnë artistët me guxim dhe vetëdije krijuese kritike e bashkëkohore; së pesti, i mungojnë kontaktet e vazhdueshme me skenën teatrore bashkëkohore europiane e botërore; së gjashti, i mungojnë shfaqjet dhe performancat me karakter alternativ e kontemportan dhe së shtati, i mungon tmerrësisht kritika teatrore profesionale, pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim normal të skenës e të kulturës teatrore të një vendi. Kur krejt kësaj i shtohen edhe mënyra e funksionimit, apo më saktë e mosfunksionimit, të teatrove tona, menaxhimi i tyre primitiv, hartimi ad hoc i repertorit, politika e çoroditur repertoreske, niveli i dobët dhe standardi provincial i shfaqjeve, mungesa e përkushtimit profesional të artistëve, improvizimet diletanteske “regjisorale”, diletantizmi aktoresk dhe shumë aspekte të tjera të natyrës profesionale, bëhet e qartë dhe krejtësisht e kuptueshme se në pjesën më të madhe të saj, fatkeqësisht dhe mjerueshëm, skena teatrore në Kosovë ekziston dhe vepron në kundërshtim me çdo trend dhe lëvizje konceptuale e artistike të skenës teatrore europiane dhe botërore.

Kosovapress: Sa sjell teatri kosovar të reja në fushën e krijimtarisë skenike?

Lumi: Prurjet e artistëve kosovarë në fushën e teatrit janë të pakta. Edhe ashtu, këto prurje identifikohen kryesisht me disa individualitete të veçanta krijuese, të cilat, me idetë dhe projektet e tyre teatrore, ndonëse shumë rrallë, ia dalin të depërtojnë apo të bëhen përkohësisht pjesë e orbitës skenike europiane komparative. Sidoqoftë, në qenien e tij të përgjithshme, teatri kosovar vazhdon të jetë një teatër konvencional, tradicional e skematik, pa fytyrë, pa identitet, pa integritet, pa shenja dalluese formale e përmbajtësore. Para se një teatër me frymëmarrje të gjerë e të lirë, ai i ngjan një teatri “bunker”, i cili duke qenë i mbyllur, i izoluar, i getoizuar, pa lidhje dhe pa kontakte të vazhdueshme me trendet skenike botërore, pikëvështrimin e tij, krejt ngushtësisht, e mat dhe e përkufizon me mundësitë e kufizuara të soditjes nga “frëngjia” e një kulle. Në vend se me të tjerët, me ngjarjet dhe festivalet teatrore ndërkombëtare, apo edhe me përmasat universale të kulturës skenike botërore, teatri ynë, për shkak të mendësisë “kreative” provinciale e të krijuesve pa kredo, pa integritet, pa origjinalitet artistik, madje shpesh edhe pa talent e pa guxim krijues, me shfaqjet e tij tmerrësisht të dobëta, vazhdon të matet me vetveten, apo e shumta të mrizojë e të vegjetojë nëpër disa të ashtuquajtura festivale provinciale të botës shqiptare, apo ndonjëherë edhe ballkanike. Në të vërtetë, me vlerat dhe standardet e tij artistike, teatri ynë duhet të jetë pjesë e natyrshme e orbitës skenike botërore. Por, që kjo të ndodhë, ai duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga diletantët dhe estradistët, nga të patalentuarit dhe profiterët, nga mercenarët dhe hileqarët, si dhe nga plagjiatorët dhe shkërbyesit (imituesit).

Kosovapress: A ka Kosova talent të rinj në fushën e artit?

Lumi: Ashtu sikundër çdo vend tjetër i botës, edhe Kosova ka të rinj të talentuar në të gjitha fushat e artit e sidomos në fushën e aktrimit. Por edhe pse janë të talentuar, shumë nga ata, për shkak të nivelit të dobët të arsimit të mesëm dhe të ambientit provincial në të cilin janë formësuar, kanë mungesa të theksuara në formimin e tyre të përgjithshëm kulturor. Kjo shpesh ndikon që ata, përkundër talentit që e kanë, të mos jenë në gjendje t’i plotësojnë kërkesat profesionale e as ta përballojnë barrën që u ngarkohet. Sidoqoftë, përkundër mangësive të kësaj natyre, këta të rinj kanë energji të mjaftueshme. Por, talenti dhe energjia e tyre duhet të përpunohen e të profilizohen. E kjo kërkon kohë, punë, përkushtim profesional dhe durim. Që prej fillimit të karrierës time artistike në Kosovë, unë kam punuar dhe krijuar kryesisht me aktorë të rinj. Shumë nga ata karrierën e tyre artistike e kanë nisur me shfaqjet e mia. Pjesa më e madhe e atyre me të cilët unë kam punuar në kohën kur ata ishin vetëm studentë të aktrimit apo thjesht aktorë të sapodiplomuar, tashmë janë emra të njohur e të kërkuar në skenën tonë artistike. Unë vazhdoj edhe më tutje të punoj dhe të krijoj kryesisht me aktorë të rinj. Në njëfarë mënyre, si regjisor dhe si pedagog universitar, sidomos me punën time krijuese në kuadër të Teatrit Laborator ‘Loja’, i kam vënë për detyrë vetes që të ndihmoj dhe të kontribuoj në edukimin, emancipimin, shkathtësimin, zhvillimin, formësimin dhe promovimin e tyre artistik. Ndërkaq, jo pa dhimbje dhe pa shqetësim njerëzor e artistik, mund të konstatoj se përkundër talentëve të shumtë që kemi, ne si komunitet artistik, si vend dhe si shtet, nuk kemi krijuar asnjë predispozitë elementare për artistët e rinj. Shumë nga ata, në vend se në teatër, në film, në ekranet televizive apo në mediumet e tjera artistike, mbas mbarimit të studimeve, zakonisht përfundojnë në profesione krejt tjera (shankistë, kamarierë, shitës zarzavatesh, punëtorë krahu), apo në zanate e punë të padinjitetshme nga më të ndryshmet. Këta njerëz të rinj, ekspresivë, energjikë e shumë të të talentuar, e kanë një ëndërr. Ata besojnë në të sotmen e sidomos në të ardhmen e tyre. Por e sotmja dhe e ardhmja e tyre duhet të mbështetet me ide, plane, mjete, financa dhe me projekte konkrete. Shteti ynë duhet të krijojë politika të mirëfillta kulturore e artistike, ku përmes tyre të krijojë shanse dhe mundësi për mbështetjen e parezervë të të rinjve të talentuar. Mungesa e politikave të këtilla stimuluese krijon atmosferë dëshpëruese, të zymtë, të pashpresë, shpërfillëse dhe krejtësisht dekurajuese. Kjo gjendje e padinjitetshme dhe aspak stimuluese i i largon të rinjtë tanë të talentuar jo vetëm nga arti, por në të shumtën e rasteve edhe nga vendi.

Kosovapress: Ҫfarë mendoni për Ministrinë e Kulturës dje dhe sot? A ka ndryshime pozitive apo negative?

Lumi: Në krejt ekzistencën e saj, të djeshme apo të sotme, Ministria e Kulturës, për fat të keq, para se një agjendë kulturore, e ka mbështetur dhe përmbushur një agjendë partiake dhe politike. Në të vërtetë, Ministria e Kulturës ka qenë dhe vazhdon të jetë një institucion qeveritar tejet i politizuar. Me diskursin e saj burokratik, partiak, politik e thellësisht konservativ, ajo më tepër e ka penguar, e ka frenuar dhe hendikepuar, sesa që e ka mbështetur apo ndihmuar zhvillimin e artit e të kulturës në vendin tonë. Kjo Ministri ka nevojë për ndryshime të thella e rrënjësore. Por, këto ndryshime nuk mund t’i bëjnë e as t’i udhëheqin nomenklaturat partiake – politike.

Kosovapress: A është Memli Krasniqi përzgjedhje e duhur apo e gabuar?

Lumi: Për mua si artist, të gjithë ministrat e kulturës kanë qenë dhe janë vetëm personazhe të përkohshme, kalimtare, episodike. Në këtë kontekst, ata për mua personalisht, si përzgjedhje e qëlluar apo e gabuar, janë krejt të parëndësishëm. Të mirë apo të këqinj, ata e kanë për detyrë që me përcaktimet dhe vendimet e tyre, t’u shërbejnë artistëve. Me një fjalë, është krejt e thjeshtë: ministrat janë administratorë dhe menaxherë të përkohshëm të kulturës. Por, në këtë përkohshmëri është e rëndësishme që të mos gabosh aq rëndë sa mandati yt si ministër të mos kujtohet me asgjë tjetër, pos me marrëdhëniet konfliktuoze me artistët, apo me qëndrimet autoritare e imponuese, si dhe me vendimet arbitrare për shkarkime. Nuk është në mandatin e as në natyrën e një ministri që të merret apo t’i shterrojë energjitë me kacafytje verbale e deklarative mospajtuese me artistët. Në të vërtetë, ministrat duhet jo vetëm t’i dëgjojnë, por edhe atëherë kur nuk pajtohen apo nuk u pëlqejnë, të paktën të kenë konsideratë dhe t’i respektojnë idetë, perceptimet, mendimet, vlerësimet dhe sidomos kritikat e artistëve. Latinët e vjetër thonë: “Ars longa, Vita brevis.”

Kosovapress: Një buxhet më i madh a do të ndikonte pozitivisht tek artistët ashtu që ata të shfaqnin ide të reja?

Lumi: Një buxhet më i madh për artin dhe për kulturën do t’i çlironte përgjithësisht energjitë krijuese të artistëve kosovarë. Një buxhet më i madh, gjithashtu, do t’i çlironte krijuesit e artit nga kompleksi i inferioritetit dhe ndjenja se ata, ndryshe nga kolegët e tyre në vendet e tjera të botës, në mungesë të mbështetjes së mjaftueshme financiare, në vend se të krijojnë, duhet të improvizojnë apo t’i arnojnë xhepat e grisur të artit të tyre. Nuk mund të pretendosh të bësh art të përmasave universale apo botërore nëse gjatë procesit krijues, para se të mendosh për çështje të natyrës artistike, duhet të mendosh për mundësitë, apo më saktë për pamundësitë që t’i krijon “buxheti” qesharak, me të cilin je i detyruar ta fillosh dhe ta përfundosh punën tënde kreative. Unë bie fjala, për shkak të ideve dhe koncepteve estetike minimaliste, shfaqjet e mia teatrore i realizoj me një buxhet shumë të vogël. Por, kjo nuk do të thotë që unë dhe bashkëpunëtorët e mi, gjatë punës sonë krijuese, nuk kemi nevojë për mbështetje financiare solide. Artistët e verifikuar, sidomos ata që me artin e tyre i kanë tejkaluar përmasat kombëtare dhe që falë fuqisë së tyre kreative janë dëshmuar në skenën artistike ndërkombëtare, shpesh duke i sjellë vendit edhe çmime të rëndësishme, duhet të gjejnë mbështetje të parezervë financiare instutucionale. Madje, para se të ashtuquajturat institucione kulturore publike, të cilat në të shumtën e herave, për shkak të buxhetit të garantuar nga shteti, realizojnë kryesisht projekte të dështuara artistike, këtë mbështetje duhet ta kenë sidomos krijuesit dhe bartësit e skenës së pavarur artistike alternative, të cilët me idetë, botëkuptimet, krijimet dhe mendësinë e tyre konceptuale, jo vetëm që e fisnikërojnë dhe e pasurojnë artin dhe kulturën vendore, por edhe e mbajnë në trend atë dhe në lidhje e qasje të vazhdueshme me zhvillimet globale artistike.

Kosovapress: Si do të depërtonte skena jonë teatrore përtej Ballkanit?

Lumi: Skena jonë teatrore, që prej shumë vitesh, përkundër pengesave të shumta dhe rezultateve artistike jo aq të fisme, me disa nga shfaqjet e saj, tashmë i ka tejkaluar kornizat ballkanike. Këtë në të vërtetë e kanë bërë vetëm disa individualitete të pakta regjisoriale, aktoriale e dramaturgjike, emrat, shfaqjet, rolet apo dramat e të cilëve, përmes ngjarjeve dhe festivaleve të ndryshme, janë bërë pjesë e orbitës teatrore ndërkombëtare. Por për shkaqe të kuptueshme të natyrës konceptuale, artistike e financiare, ky depërtim është i pjesshëm dhe shumë simbolik. Duhet të theksohet, ndërkaq, se pjesën më të suksesshme të këtij rrëfimi e kanë krijuar kryesisht artistët dhe krijuesit e pavarur, jashtë ndikimit apo mbështetjes institucionale. Për më tepër, në vend se të mbështeten apo të ndihmohen nga institucionet vendore në misionin e tyre përfaqësues e reprezentues, ata në shumë raste, krejt paturpësisht, janë shpërfillur apo edhe penguar. Gjithnjë në ndërlidhje me praninë dhe depërtimin e skenës sonë teatrore në skenën teatrore europiane e botërore, një paradoks i çuditshëm dhe krejtësisht anakronik është edhe mungesa e theksuar e festivaleve teatrore ndërkombëtare në Kosovë. Në vend se shtatin dhe vlerat e tyre t’i masin me botën, teatrot tona provinciale janë përcaktuar që kryesisht, përmes disa festivaleve të ashtuquajtura kombëtare, të maten me vetveten. Por e keqja nuk qëndron te organizimi i këtyre festivaleve e as vetëm te përmasat e tyre lokale, por te standardi, te formati dhe te mënyra thellësisht joprofesionale e organizimit të tyre, e sidomos te vlerat provinciale e diletanteske, në të vërtetë pseudovlerat, të cilat paraqiten, legjitimohen dhe promovohen nëpër këto festivale. Pa tejkalimin substancial të kësaj mendësie të përçudshme provinciale, teatri ynë nuk do të mund të jetë kurrë pjesë e natyrshme dhe normale e skenës teatrore ndërkombëtare.

Kosovapress: A vlerësohet sa duhet puna e artistit në Kosovë?

Lumi: Puna krijuese e artistit në Kosovë jo vetëm që nuk vlerësohet, por ajo shpërfillet, përçmohet, madje shpesh edhe pengohet.

Kosovapress: A mund të jetohet vetëm nga arti?

Lumi: Shpirtërisht po, por jo edhe fizikisht. Filozofi i madh kinez Confucius do të thoshte: “Dymbëdhjetëve dhe pak fat mund të bëjnë trembëdhjetë zogj.”

Kosovapress: Sipas jush, cila është shfaqja më e mirë teatrore e të gjitha kohërave në Kosovë?

Lumi: Çdo kohë i ka shfaqjet e veta apo ngjarjet kulturore e artistike me të cilat identifikohet. Ato duhet të shikohen e, prandaj, edhe të vlerësohen në kontekst me kohën dhe vendin në të cilin janë krijuar. Por, gjithsesi, vlera e tyre artistike duhet të përcaktohet edhe në kontekst me fuqinë e tyre komunikative jo vetëm me të djeshmen, por edhe me të sotmen, e sidomos me të ardhmen kreative. Shfaqjet e mëdha e me vlera të padiskutueshme i rezistojnë kohës dhe të gjitha standardeve artistike. Por, në fund të fundit, është historia e teatrit, të cilën ne për fat të keq ende nuk e kemi, ajo që në dritën e studimit të analizës e të shqyrtimit kritik do ta filtrojë, do ta përcaktojë dhe do ta vendosë hierarkinë e vlerave artistike.

Kosovapress: Nëse jo në Kosovë, në cilin vend tjetër do të jetonit?

Lumi: E shkuara, e tashmja dhe e nesërmja ime jetësore e krijuese kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të lidhura me njerëzit e mi, me gjuhën time dhe me vendin tim. Përkohësisht, për shkak të projekteve të ndryshme artistike apo të planeve krijuese, do të mund të veproja apo të jetoja edhe në çdo vend tjetër të botës. Artistët u ngjajnë shumë zogjve dhe ata, varësisht nga projektet apo angazhimet profesionale, shtegtojnë nëpër vende të ndryshme. Por megjithatë, rrënjët e mia gjenetike dhe artistike janë të lidhura fort me trungun e atdheut tim. Edhe pse në Kosovë nuk ekziston atmosferë normale krijuese dhe ndonëse për artin tim nuk e posedoj as komoditetin më elementar, unë me jetën time dhe me artin tim i përkas këtij vendi.

Kosovapress: Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Lumi: Ëndrra ime më e madhe është që të vazhdoj të bëj teatër edhe në botën e përtejme. Një ferr, një purgator apo një parajsë danteske pa teatër do të ishin fort të mërzitshme.

Kosovapress: Thënia e ditës?

Lumi: Do të shërbehesha me një thënie antologjike të poetit, dramaturgut, publicistit dhe kritikut të shquar amerikano – britanik Thomas Stearns Eliot (1888 – 1965), i cili, në një rast, thotë: “Kritika për Shakespeare-in do të ndryshojë vazhdimisht bashkë me ndryshimin e botës.”

Bekim Lumi është regjisor dhe pedagog universitar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ai, gjithashtu, është themelues e drejtues i Teatrit Laborator ‘Loja’, si dhe themelues, kryeredaktor e botues i revistës për teatër ‘Loja’. Si regjisor, njihet për stilin e tij të veçantë minimalist e eksperimental në fushën e teatrit. Me shfaqjet e tij e ka përfaqësuar Kosovën nëpër disa ngjarje e festivale teatrore ndërkombëtare si në Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Shqipëri, Bullgari, Greqi, Bosnje e Hercegovinë e Maqedoni, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme. Në qershor të këtij viti, pas një pune kërkimore – krijuese eksperimentale mbi njëvjeçare, ka realizuar shfaqjen ‘Dilerat’, sipas tekstit ‘Në vetminë e fushave të pambukut’ të dramaturgut të shquar bashkëkohor francez Bernard Marie Koltes./ Intervistoi Genta Kadrija/


Ndalohet rreptësisht marrja dhe shpërndarja ne media, portale. .. pa autorizim paraprak me shkrim nga A.P.L. KosovaPress.

Ju lutemi lidhuni që të bëni një koment.

Komente (0)

Nuk ka asnjë koment.