Anëtarësohuni  Harruat?   

Rivitalizimi i Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore

Tri-katër vite më parë, kur bëja pjesë në stafin …vendimmarrës për projekte të ndryshme restaurimi, pata rastin, në një mbledhje të këshillit shkencor, të shoh disa projekte të prezantuara dhe financuara nga UNESCO në programin e rivitalizimit të qendrave të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e historike në disa qytete e zona të vendit tonë. Në këtë program përfshihej edhe Tirana me një projekt që prekte rrugën dhe ambientin që korrespondon me muret rrethuese të Kalasë së Tiranës. Projekti i hartuar nga një arkitekt i huaj përmbante në hollësi mënyrën e ndërhyrjes, teknikat dhe llojin e materialeve, si edhe detajet që konfigurojnë rrugën me të gjithë shtrirjen e saj, e që sot është pedonalja që përdoret nga qytetarët e Tiranës.

Realizimi i projektit mbështetej nga një fond i konsiderueshëm, i programuar me idenë e rivitalizimit, por që në të gjitha detajet dhe tërësinë e ndërhyrjeve nuk kishte lidhje me këtë qëllim, por me një ndërtim shtesë që nuk merrte në konsideratë, jo vetëm monumentin, por as natyrën e një rruge pedonale, e cila duhet të integrohej në kontekstin urban të qytetit. Sot, ajo prezanton një ndërtim të pangjashëm me asnjë referencë ndërtimore të rrugëve mesjetare në qytetin e Tiranës, por as edhe me një qendër tjetër mesjetare në Shqipëri. Më duket e tepërt të përshkruaj gjithë sistemin e trotuareve të panevojshëm, atë të ndriçimit lart e poshtë, konglomeratin e formave, linjave, parcelave me mozaikë me gurë zalli të çimentuar, stolat me forma, ngjyra dhe vendosje, që vetëm një fantazi diletanteske mund t’i përfytyrojë.

Një mori materialesh të llojit dhe formave që të justifikonin shpenzimet e panevojshme. Por a i vjen sadopak në ndihmë rivitalizimit të qendrës arkeologjike të kalasë kjo rrugë, e cila akoma më shumë ka nevojë të çlirohet nga ndërtimet abuzive, nga mbivendosje restorantesh, e shtojca që dëmtojnë leximin e pastër të profileve ekzistuese të mureve? Po në idenë e rivitalizimit janë hartuar, miratuar dhe zbatuar ndërhyrje edhe në zona të tjera të vendit, duke komprometuar marrëdhënien e monumenteve me sitin e tyre, i cili përbën kontekstin e vlerës historike dhe estetike. Vendosja e një ndërtimi shtesë në përmasa dhe materiale që rivalizojnë këto qendra, në perceptimin e tyre, është si t’i vendosësh rrugës me kalldrëm romak pranë Harkut të Triumfit ose zonës arkeologjike të Foro Romanos në Romë një rrugë plot forma e materiale të ndryshme me ndriçime moderne. Sigurisht rivitalizimi i trashëgimisë kulturore është domosdoshmëri e kohës, por në këtë praktikë ka rëndësi raporti i ndërhyrjeve, mënyra dhe rezultati, i cili duhet të harmonizojë si ruajtjen, ashtu edhe ripërdorimin në kohë të monumenteve. Rivitalizimi ose rijetësimi i qendrave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore sot ka nxjerrë disa probleme në praktika e rezultate negative.

Mjaft të kemi parasysh ishndërtesën e Institutit të Monumenteve, sot “Sarajet”, një objekt me vlera unikale në rrugën “Abdi Toptani”, ose banesën e Toptanëve brenda mureve rrethuese të kalasë, të cilat janë tjetërsuar dhe kanë humbur shumë nga vlerat e tyre historike. Ndër rastet më skandaloze dhe dëmtuese të integritetit historik e kulturor të siteve arkeologjike në mbrojtje shtetërore, do të shënoja transformimet e sistemit të rrugicave me kalldrëm në kështjellën e qytetit të Beratit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Një ndërhyrje tërësore në të gjithë sistemin e rrugicave të zonës së banuar, duke prishur kontekstin historik e kulturor të tyre nëpërmjet shtrimit me gurë çakull ,jashtë natyrës së materialeve të përdorura tradicionalisht si dhe jashtë kritereve të restaurimit, të cilat duhen konceptuar si nevojë dhe jo si domosdoshmëri. Duke prekur shtresën kulturore arkeologjike është komprometuar jo vetëm konteksti historik por edhe ai emocional, i cili i përket parimit kohë-jetë, që do të thotë se çdo ndërtim apo vepër arti ka jetën e vet materiale, të transformueshme në kohë nëpërmjet asaj që mund të quajmë plakje e që ruan gjurmët e jetës në vite.

Është kjo ndjesi emocionale që provojmë kur vizitojmë një sit arkeologjik apo një vepër arti, të cilat na bëjnë të udhëtojmë në kohë, me moshën dhe gjurmët e saj. Pikërisht këtë humbje emocionale përjetova rishtazi, kur një muaj më parë shkova në Voskopojë për të parë këtë qendër të trashëgimisë kulturore, në të cilën shumë vite më parë kam punuar për restaurimin e pikturave murale të kishave të saj. Rruga automobilistike, e shtruar vitet e fundit, ishte komode dhe shkurtonte mjaft kohën e udhëtimit nga Korça, por gjatë rrugës dhe në hyrje të fshatit nuk kishte asnjë reklamë figurative që t’i ofronte vizitorit historinë apo një reklamë të afreskeve të kishave të Voskopojës. Ishte ditë e diel, normalisht ditë vizitash, dhe prisja të gjeja kishat e hapura për të parë afresket e tyre, por pashë drynin e ndryshkur në derën e Shën Kollit, ndërkohë që kisha bërë një copë rrugë tërë pluhur për të shkuar deri atje.

Rruga e vjetër e qytetit mesjetar ishte prishur dhe përgatitej të vendosnin një kalldrëm të ri, si dhe të krijohej një sistem kullimi ujërash apo drenazhimi, i cili prekte të gjithë shtresën arkeologjike, si në material, ashtu edhe në konceptimin urban. Në të dy anët e kalldrëmit të prishur ishin ndërtuar trotuare të ngushta rreth një metër me material guri, të shtruara me ngut e pa kujdes, si dhe të panevojshme. Përveç kishave të mbyllura dhe rrugëve të ribëra, gjeta të gjitha çezmat e njohura për ujin e bollshëm dhe karakterin e veçantë, të rindërtuara dhe që për çudi rridhnin pak ujë, ndryshe nga ato që kisha parë vite më parë. Sigurisht impakti më mbresëlënës ishte “Voskopoja e Re”, e ndërtuar në mënyrë kaotike dhe pa një plan urbanistik, kryesisht me gurë dhe me një përpjekje ose dëshirë për të rikujtuar Voskpojën e shekujve të XVII-XVIII. Për kënaqësinë time, vizita e shkurtër në Korçë më la një përshtypje të këndshme.

Rruga pedonale e shtruar thjesht dhe e rrethuar me ndërtimet e vjetra ishte një zgjidhje konform qëllimit dhe shërbimit që ofronte. Akoma më tepër se pedonalja, bulevardi i rrugës kryesore që korrespondon me kinemanë e vjetër “Morava”, ishte një rivitalizim shembullor që ruante ndërtimet e hershme dhe rikthente te vizitorët vlera e përshtypje që jetësonin në kohë ndërtimet e saj, të lidhura në të dy anët me kalldrëm, i cili ruante karakterin e zgjidhjes urbanistike në formë dhe material. Edhe pse këtu nuk ishin shpenzuar fonde të veçanta për rivitalizimin e qendrës historike, Bashkia e qytetit ka pasur kuptimin dhe ka ndier nevojën e rivitalizimit pa shumë shpenzime dhe pa modernizuar rrugët ekzistuese. Përveç marrëdhënieve të harmonizuara të bulevardit me ndërtimet e hershme, më bëri përshtypje edhe trajtimi i gjelbërimit përgjatë rrugës, një problem që, në shumë qendra të tjera të shpallura në mbrojtje, prish mjaft peizazhin e komplekseve të banimit, si në Berat ashtu edhe në Gjirokastër. Një rast tjetër skandaloz të ndërhyrjeve në urbanistikën e qyteteve tona, do të konsideroja rrugën pedonale në Shkodër, e cila prek bulevardin e qendrës së qytetit dhe lidhet me zonën e vjetër, duke ndërtuar një kiç me kalldrëm të përmasave dhe teknikave të ndryshme, i cili është tepër i papërshtatshëm. Dhe çudia që ndodh, është se gjenden gjithë këto para për të shkatërruar ambiente e site të arkitekturës, ndërkohë që shumë banesa të vlerave unikale si dhe shumë objekte të kultit janë në gjendje të mjerueshme. Siç duket, problemi i rivitalizimit, në këto raste i rivalizimit, është përdorur si biznes fitimprurës, ndërkohë që janë rrënuar vlera historike e artistike të pariparueshme.

Duke iu rikthyer idesë së rivitalizimit që në shumë raste ka përfunduar në rivalizim, është shqetësuese prekja e zonave si brenda, ashtu edhe jashtë vijës së verdhë nëpërmjet ndërtimeve në përmasa dhe karaktere që sfidojnë marrëdhëniet me peizazhin gjeografik dhe urbanistik të qyteteve, veçanërisht atyre të vëna në mbrojtje si pasuri e trashëgimisë kulturore, si Berati, Gjirokastra, Shkodra apo zona muzeale brenda dhe jashtë Kalasë së Krujës, Elbasanit apo Himarës, ku gjithashtu spikasin rrugë të tjera “moderne”. Ky problem, në qoftë se mbetet në dorë të interesave mafiozë dhe vendimmarrjes së injorantëve të kritereve të rivitalizimit dhe restaurimit, pret të vazhdojë më tej edhe në qendra të tjera të trashëgimisë kulturore, që ende nuk i ka ardhur radha.

Ju lutemi lidhuni që të bëni një koment.

Komente (0)

Nuk ka asnjë koment.