Anëtarësohuni  Harruat?   

Quo vadis Kinema Shqiptare nga prof Abaz Hoxha

QUO VADIS KINEMA ?
Quo vadis Kultura Shqiptare ?

Shqipëria sa kishte filluar të rilindte dhe figurat e shquara të saj bënin çmos për një progres të shpejtë edhe nëpërmjet artit më të ri, kinematografisë, si arti më masiv dhe më i fuqishëm për emancipimin e popullit. Ishte ky mjeti më i komunikueshëm në veçanti për një vend me analfabetizëm masiv dhe ku ende nuk kishte asnjë institucion artistiko-kulturor të organizuar.
Fuqinë magjepsëse të këtij arti e kuptuan të parët mëmëdhetarët dhe njerëzit e kulturuar Kol Idromeno, vëllezërit Janaq dhe Milto Manaqi, Hil Mosi e Risto Siliqi e shumë të tjerë njerëz të letrave, gazetarisë e fotografisë. Ata qenë të parët që filluan shfaqjet dhe xhirimin e filmave dhe bënin thirrje të vazhdueshme për ta përhapur sa më shpejt dhe sa më gjerë në Shqipëri, duke e vlerësuar filmin jo vetëm si mjet dëfrimi por edhe edukimi e përhapës i kulturës në masat e gjera. Prandaj e quajtën kinemanë " një vend i dobishëm ku njerëzit munden me mësue diçka" (Shqipëria e re, 1913 e drejtuar nga H.Mosi dhe R.Siliqi).
Ishin figurat përparimtare kombëtare ata që i kthyen kafenetë, kumarhanetë, kazinotë, magazinat dhe korridoret e shkollave në salla ku jepeshin shfaqje filmash. Ishin gazetarët dhe gjithë intelektualët e vendit që mbushnin gazetat me kërkesat që çdo Bashki të ngrinte një kinema të vogël ose të madhe, sipas fuqive financiare të tyre, në mënyrë që të largoheshin, në veçanti rinia, nga vendet e veseve të këqija dhe të drejtoheshin në sallat e edukimit dhe përparimit dhe të përqafimit të këtij arti magjepës.
Këto bëheshin 80-90 vjet më parë !!!. Por le t'u referohemi fakteve që jepeshin në shtypin e kohës :
"… A e din ala se n'shpië të Kol Arsenit (Idromenos-A.H.) asht një dugaj që i thonë Grand Kino-Skioptiko? Aty është nji vend ku qiten t'faquna t'bukra e t'dobishme… nuk asht vetëm nji vend qejfit por dhe nji vend ku mundet njeri me nxanë ndonjisend…" (Shqypnia e Re, 1913, Nr.6, 20 korrik).
"…Me konditë të domosdoshme që filmat të jenë të zgjedhura prej atyre që nuk cënojnë zakonet dhe moralin e kombit, kinematë luajnë një rol shumë të dobishëm në jetën shoqërore të një populli…dhe ndihmojnë aq shumë në edukimin e rinisë, sa që mund të quhen një shkollë e dytë…." (Besa, 1932).
Duke kritikuar Bashkinë e Fierit se i kishte vënë taksa të rënda kinemasë një gazetar shkruante :
"…Të gjitha Bashkitë lypsen që qytetin e tyre ta pajisin me një kinema të vogël ose të madhe sipas fuqisë së qytetit dhe me çdo mjet të mundshëm të ngjallin në shpirtin e popullit, dëshirën për t'u zbavitur në këto lokale, se vetëm kështu mund të luftohen mejhanetë dhe kumarhanetë…" (Besa, 1933).
"…Në Shqipëri kemi nevojë që kinematë të marrin një zhvillim të gjerë se populli prej shfaqjeve të ndryshme mund të përfitojë pa masë, aq nga pikëpamja e zgjerimit të njoftimeve të tij, sa dhe nga pikëpamja edukuese…Përkrahja dhe zhvillimi i kinemave janë me të vërtetë një nevojë shoqërore…"(Besa, 1933).
"…Njeriu ndjen nevojën të zbavitet ashtu siç e ndien nevojën e dritës, të ajrit të pastër ose të bukës…Në qoftë se nuk i japim të dëfrehet me sende të bukura dhe edukuese, atëherë populli do të gjejë dëfrimin në veset e shumta që paraqet jeta. Dhe këtu qëndron hollësia e qeverisë, domethënë të shtyjë popullin të heqë dorë nga veset dhe ta drejtojë atë në rrugë të drejtë…"(Gazeta e Korçës,1934).
Këto parime, dhe këto preokupime ishin në thelb edhe të synimeve të pronarëve dhe të shoqërive të para të kinemave në Shqipëri.
Në letrën që i dërgonin Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit në Tiranë, përfaqësuesit e shoqërisë së parë të kinemave në Shqipëri Kinema Teatër "Nacional", Alqi Hobdari dhe Xhuf Koljaka shkruajnë:
"…Vetëm ideali patriotik dhe jo spekullacioni e shtyti shoqërinë tonë të rrezikojë mijëra napolona për këtë vepër të shenjtë, pse nuk ka dyshim që ky kapital mund të jepte fitime shumë të mëdha po të përdoresh në tregti ose industri…"( Flitet për kinema "Nacional" ish -17 Nëntori në 5 shkurt 1926) dhe më poshtë ata vijojnë:
…arti moral dhe serioz kërkon sakrifica materiale, kurse çfaqësina kinema-teatrale degjeneruese mund të kryhen me kapitale fare të pakta.. atëherë lind lufta e artit të vërtetë dhe të rrenësit…Vetëm ndërhyrja e qeverisë mundet me e shpëtue artin e vërtetë tue i zgjat dorën ndihmëse…".
Ndonëse ata e argumentonin kërkesën e tyre për dhënien e një konçesioni 15 vjeçar për kinematë në kryeqytet :
"…meqenëse shkaku i mungesës së indipendencës kombëtare e deri në kohën e mrame, popullit tonë nuk ju dha rasti të shijojë ambëlsinat hyjnore të arteve dhe sidomos të mësimeve morale e kombëare që rrjedhin nga shfaqësinat serioze kinema-theatrore. Për të përgatitur hyrjen e tij në rrugën atistike duhet një kohë e gjatë dhe sakrifica matëriale…"
Këto thirrje e preokupime të gazetarëve, pronarëve të kinemave dhe përgjithësisht të opinionit përparimtar të kohës bënë që Klubi "Gjuha Shqipe" dhe shtëpia e Kolë Idromenos në Shkodër, mjediset e hotel "Liria" dhe "Kafe Orient" në Tiranë, disa baraka në Gjirokastër, Berat, Përmet, kafe "Paris" dhe salla e Mitropolisë në Korçë, mjediset e hotel "Kontinenal" në Sarandë dhe "Splendit" në një kat ndërtese në Durrës, Hani i Jorgji Naqit në Elbasan, korridoret e shkollave industriale në Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Berat, Shkodër e Durrës etj., u shndërruan në kinema në sajë të sakrificave të pronarëve, mësuesve dhe nxanësve të shkollave.
Në një etje të vrullshme për emancipim dhe edukim u përfshinë shkollat e ndryshme të Shqipërisë sidomos në vitet '30, kur nxënësit me mësuesit e tyre në krye, intelektualët e njohur etj., u përfshinë në kërkesa masive për shndërrimin e korridoreve të shkollave të tyre në mjedise për shfaqjen e filmave dhe kërkonin me këmbëngulje nga Bashkitë dhe drejtoritë arsimore të ndihmonin për të siguruar filma edukativë dhe mësimorë që të ndihmonin forcimin e dijeve dhe konkretizimin e lëndëve bazore të programeve shkollore. Ata u mbështetën edhe në kontributet financiare të prindërve dhe nxënësve nëpërmjet " lekut të nxënësit", për improvizimin e sallave, blerjen e karrigeve dhe aparateve kinematografikë etj.
Të gjitha këto shndërrime të mejhaneve, kumarhaneve, kazinove, barakat dhe katet e hoteleve modeste në salla kinemaje u bënë që në fillim të shekullit ,domethënë 80-90 vjet më parë.
Mbas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë shpërtheu një valë e re dhe etje për përparim. Përsëri ishin arsimtarët dhe intelektualët shqiptarë, që u vunë në krye të një lëvizjeje të madhe për ngritjen e sallave të kinemave në skajet më të largëta të vendit.
Me kontributin e vetë popullit që e kishin varfërinë deri në palcë filluan ndërtimet e kinemave me kontribut vullnetar duke grumbulluar qereste, duke vënë kafshët e punës dhe krahët e tyre në dispozicion për transport të gurëve e tullave, duke hequr nga buka e gojës pak monedha për të ndihmuar në ndërtimin e sallave në Bilisht, Peqin, Gjirokastër, Përmet etj.
Po në vitet e para pas çlirimit shpërtheu një lëvizje e madhe solidarizuese në ndihmë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë si Peza e Mallakastra, Mesapliku e Kurveleshi që ishin zhuritur e shkatërruar më shumë nga lufta që sapo kishte mbaruar. Ata grumbullonin të ardhurat nga biletat e shitura të kinemave dhe të shfaqjeve teatrore dhe i vinin në shërbim të asistencës sociale për mencat e jetimëve dhe prindërve të moshuar që u ishin vrarë fëmijët në luftë.
Këto veprimtari morën një kuptim të dyfishtë jo vetëm si një lëvizje kulturore dhe emancipim, për ngritjen e kinemave dhe shtimin e shfaqjeve të filmave, por edhe si një akt humanitar e patriotik për të ndihmuar shtresat më të dëmtuara nga lufta.
Si pasojë e kësaj lëvizjeje të madhe për ndërtimin e kinemave dhe me mirëkuptimin dhe ndihmën e shtetit u ndërtuan kinema në të gjitha skajet e Shqipërisë nga Veriu në Jug. Nga viti 1946 dhe deri në vitin 1970 u ndërtuan kinema të reja në Bilisht, Ersekë, Leskovik, Përmet Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë, Himarë, Orikum, Vlorë, Fier, Lushnjë, Berat, Rrogozhinë, Kavajë, Durrës, Shijak, Krujë, Laç, Lezhë, Rrëshen, Burrel, Bulqizë, Peshkopi, Pukë, Kukës, Bajram Curri, Koplik, Shkodër, disa kinema në Tiranë, Elbasan, Librazhd dhe shumë të tjera që u ndërtuan në qendrat e mëdha të punës, në Llakatund e Fush-Arrëz, në kooperativat e bashkuara etj. U ngrit një rrjet i tërë aparatesh kinematografke lëvizëse dhe autokinemash që jepnin shfaqje në çdo skaj të atdheut. Në vitin 1972 në gjithë rrjetin kinematografik shqiptar funksiononin rreth 450 kinema, autokinema dhe aparate që lëviznin nëpër fshatra të ngarkuara në kuaj, por edhe në krahë.
Po sot?
Ç'po ndodh me ish - kinematë e ndërtuara me sakrifica të mëdha nga populli dhe shteti në të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht një fenomen i kundërt. Ky është paradoksi. Përse ? Ku është dora e shtetit ?
Me këtë rast duhet t’u drejtohem edhe nihilistve, që kërkojnë të mohojnë me çdo kusht çdo gjë që është ndërtuar me shumë sakrifica në të kaluarën, për hir të propagandës politike dhe synimeve të çastit. Kujt i shërben ky injorim? Përsëri fatkeqësisht, ky nihilizëm që u ka shërbyer vetëm pushtetarëve për të ngritur kultin e tyre, sot po përqafohet edhe nga disa intelektuale dhe gazetarë të spektreve të ndryshme, me synimin për të mohuar çdo gjë që u ndërtua në 50 vjetët e kaluara dhe harrojnë se bien pikërisht në propagandën e madhe të Enver Hoxhës dhe regjimit që lamë mbrapa që thoshte se, në Shqipëri çdo gjë u ngrit mbas çlirimit, d.m.th kur e mori ai pushtetin dhe mohoi gati plotësisht çdo lloj tradite dhe figura të shquara të së kaluarës, propagandë me të cilën u edukua një brez i tërë, duke përfshirë edhe mua që po shkruaj këto radhë.
Luftëtarët e vendosur të nihilizmit, të mohimit të çdo gjëje të trashëguar, duan të na mbushin mendjen se shtëpia ndërtohet pa themele. Harrojnë se çdo brez ka funksionin e tij ka meritën e tij në shoqërinë njerëzore, njëri ndërton themelet, tjetri vë brezin e parë të tullave e kështu me radhë. E. Hoxha dhe regjimi i tij mohuan shumë intelektualë të shquar, duke u përpjekur të shlyenin ndërgjegjen kombëtare. Kujt i shërben hedhja e baltës mbi njerëzit e shquar dhe traditën në çdo fushë. Kur do të bindemi se të gjithë së bashku duhet të punojmë për përparimin e kombit.
Ku është shteti? Përse na duhet një Ministri Kulture, kur kinematë dhe kinematografia përgjithësisht u shkatërruan, teatrot profesioniste dhe amatore, shtëpitë e Kulturës, muzeumet e shumta që u ngritën në çdo skaj etj., nuk u duken as gjurmët. Në vend që të merret me këto, me gjallërimin e lëvizjes amatore për nxjerrjen në pah të traditës, me monumentet e kulturës, me botime të ndryshme që bëjnë fjalë për nxjerrjen në pah të vlerave kulturore të shqiptarëvet etj merret me fasadat e ministrive ose për sponsorizimin e spektakleve për të bërë "Show", duke harruar se prapa atyre ministrive qëndrojnë aparate të fryra administrative që e kanë për detyrë të merren me mirëmbajtjen, dhe spektaklet e ndryshme mund ti sponsorizojnë firmat private,
sepse kështu reklamojnë dhe veprimtaritë e tyre.
Ku është shteti ? Çështë ky mallkim i kulturës shqiptare. Quo vadis Kinema ? Quo vadis Kultura shqiptare ?

Ju lutemi lidhuni që të bëni një koment.

Komente (0)

Nuk ka asnjë koment.