Anëtarësohuni  Harruat?   

1000 miza nga Eleni Laperi

1000 miza nga Eleni Laperi

Mare nga Gazeta Standart



miza_130269Mizat! Nuk e di sa njerëz mund të jenë të dashuruar me këto krijesa, po jam e sigurtë se shumica prej nesh nuk dëshirojnë t’i kenë bashkudhëtare në këtë jetë. Deri më sot shkencëtarët kanë numëruar rreth njëqind e njëzet mijë lloje mizash. Në shumë kultura mizat përfaqësojnë vdekjen, ndërsa në disa të tjera rregullin që vepron në natyrë dhe kthimin në tokë pas vdekjes; ato na kujtojnë se sa e shkurtër është jeta ! Për filistinët ‘Beelzebub’- emër, që ne e njohim si personifikimi i së keqes – fjalë për fjalë do të thotë: Zoti i Mizave. Mizat përdoren edhe si simbol, për të thënë se jemi vdektarë, qenie të parëndësishme. Në një varg te ‘Mbreti Lir’, Shekspiri shkruan: ‘Ashtu si mizat janë për një djalë tekanjoz, ashtu për zotat jemi ne; ata na vrasin sa për sport…’ E një autor tjetër shkruan: vetëm një zot e di sa udhëheqësve, sa shkencëtarëve, gjeneralëve apo artistëve u është shkurtuar jeta, u është prerë në mes karriera nga pickimi i një mize anonime! Sa për shpjeguesit e ëndrrave, ata thonë se kur sheh në ëndërr sikur vret një mizë, shëndeti yt do të ecë mirë.

Përpos gjithë këtyre thënieve, fakteve e mendimeve për mizat, tre artistë të rinj kanë zgjedhur pikërisht emrin ‘Miza’ për galerinë e tyre të vogël në katin e parë të një pallati me tulla të kuqe, në një rrugë pas Universitetit të Arteve në Tiranë. Sepse ndoshta atyre nuk u interesojnë gjithë këto thënie mbi mizat; u mjafton që Xhoto, piktori i madh i Rilindjes italiane, pikturoi një mizë mbi tablonë e mësuesit të tij Çimabue dhe e ‘mashtroi’ mjeshtrin e madh, aq sa ai vajti të zbonte ‘mizën’ nga tabloja. Kur kuptoi lojën e nxënësit të tij, Çimabue i tha Xhotos se ai tashmë dinte më shumë se mësuesi, pra mund të hapte studion e tij. Galeria ‘Miza’ nisi aktivitetin në vitin 2011. Ishte emri i galerisë, që tërhoqi vëmëndjen e artistit Rafet Jonuzi nga Kosova, me banim në Zvicër dhe ai zgjodhi të sjellë ekspozitën e tij ‘Artist Swatter’. Pjesë e ekspozitës është një video, një mijë miza ‘të burgosura’ në qese të vogla transparente plastike, të fiksuara në muret e galerisë dhe një radhë me bishta swatters/mizavrasësesh, majë të cilave janë portretet e disa artistëve profesionistë, të përzgjedhur sipas listës së ‘www.artfacts.net’. Mizat në murin e galerisë krijojnë përshtypjen e një qielli të bardhë plot me konstelacione pikash të zeza.

‘Unë e zgjodha mizën për këtë projekt ndoshta rastësisht’, thotë Rafet Jonuzi, ‘po edhe jo rastësisht. Miza për artistin është ngacmuese, se është gjithnjë pranë nesh. E ndoshta është çudi, po vetëm për mizën është krijuar një ‘armë’ e posaçme, swatter/pallaska’. Objekti i gjuetisë – miza dhe arma për gjuetinë e mizave ishin dy prej elementëve, që nxitën idenë e artistit. ‘Ideja ka lindur kur përgatitja një ekspozitë të madhe në Austri, në mars të vitit 2012’ (http://www.kuenstlerhaus-bregenz.at/).

Prej disa vitesh artisti krijon duke ndërtuar një urë mes shkencës e artit: ‘…elementë shkencorë, që interpretohen në një vijë artistike, forma që shndërrohen në ngjyra-vija, duke krijuar një mikro apo një makro univers. Nga Big-Bang-u deri në formën e sotme të universit, yjet që shpesh i shohim natën, të shtrirë në verandën tonë, shndërrohen në insekte, apo në një luginë të blertë, apo secili prej nesh me atë që sheh në qiell krijon një univers të vetin: yje që kanë shpirt, yje që janë plot me lule, apo yje si qytete që sjellin vdekjen etj., etj. Kur diçka e shohim nga larg, ajo na duket si një pikë e zezë, e paidentifikuar. Po sa më afër i shkojmë, aq më i qartë bëhet objekti. Nga këto u nisa për të krijuar me këto ready-made/sende të gatshme një univers me miza, që nga larg duken si pika të zeza në muret e bardha të galerisë’, thotë Jonuzi. Ai shpjegon se 100 artistët e zgjedhur, portrete të të cilëve janë renditur majë bishtave të pallaskave në hyrje të galerisë ‘Miza’, jo më kot janë marrë pikërisht nga faqja artfacts. Renditja e artistëve në atë faqe ndryshon sipas aktivitetit të tyre, me ulje e ngritje, ashtu si veprojnë të dhënat në bursë, duke treguar rënien apo ngritjen e një firme në bazë të fitimeve apo të humbjeve. Swatter/mizëvrasësja u përcaktua ‘e artistit’ për të treguar nivelin profesional të gjestit, por edhe ironinë ndaj faktit se arti në kapitalizëm është edhe biznes.

Peter Weibel, teoricien arti austriak, thotë se lidhja e krijimtarisë artistike me shkencat e fushave të ndryshme ka të bëjë me përdorimin e logjikës së funksionimit të një makine në krijimin e një vepre arti. Veprat e artit sot nuk kanë si qendër autorin dhe objektin e veprës, si veprat e artit tradicional. Që kur artisti franko-amerikan Marcel Duchamp ekspozoi në një galeri një urinore, nisi epoka e përdorimit të ready-made ose objekteve të gatshme, që jo vetëm sollën ndryshimin e marrëdhënies së veprës së artit me publikun, po ndryshuan edhe konceptin për muzeun e artit. Më parë të gjitha elementet e një vepre arti ishin pjesë e pandashme e krejt veprës. Prandaj ajo cilësohej si vepër arti edhe jashtë kontekstit të një muzeu apo galerie. Krejt ndryshe ndodh me ready-made, që kthehet në vepër arti vetëm në kontekstin e një galerie; publiku te to nuk sheh vetëm objektet e ekspozuara; ai sheh përtej objekteve, se kërkon të shohë çfarë do të thotë artisti me to. Ready-made e bën shikuesin aktiv, e bën të përdorë logjikën, ndryshe nga veprat tradicionale të artit, që e lënë në rolin e soditësit, jashtë kornizës së praruar. Ndryshimi që sollën veprat e arti bashkëkohor, si instalacionet, ready-made etj., ishte edhe përfshirja e shikuesi në hapësirën e veprës, kthimin e tij në pjesë aktive të saj.

E dobishmja e një vepre arti është se gjeneron jo vetëm emocion estetik, por edhe ide. Kështu më ndodhi edhe mua: u gjenda brenda instalacionit me 1000 miza dhe me portretet e disa prej artistëve më të shquar të të gjitha kohërave mbi bishtat e armëve miza-vrasëse të Rafet Jonuzit dhe nisa të mendoj për rolin e artit bashkëkohor në shoqërinë demokratike shqiptare, për rolin e muzeumeve e galerive të artit në mbushjen e hendekut, që ndan jetën e vërtetë nga arti.

Në artikullin e saj ‘A i duhet muzeu artit bashkëkohor’, filozofja e artit Marina Grzhniç shkruan se muzeumet janë ndër ato struktura, të cilat e institucionalizojnë procesin e artit dhe të kulturës, na lejojë të mendojmë mbi artin si për një institucion. Procesi i artit dhe i kulturës është një sferë publike e nevojës, prodhimit dhe konsumit të artit, thotë ajo, e cila rregullohet dhe institucionalizohet prej muzeve. Në botën moderne institucioni i muzeut ka kodifikuar dhe strukturuar artin, duke e kthyer nga një res nulius - nga diçka që nuk i përket askujt, në res publica - në një çështje të të gjithëve.

Muzetë e galeritë e artit në botë gëlojnë nga publiku, duke nisur nga fëmijët. Publiku afrohet në ambientet e tyre me anë të programeve të edukimit, të botimeve, suvenireve e ekspozitave të mençura, të cilat e bëjnë edhe publikun më të qytetëruar. Kultura tanimë është pjesë e pandarë dhe aktive e programeve të Evropës së Bashkuar. Duke filluar nga viti 1985, çdo gjashtë muaj një qytet i saj kthehet në kryeqytet të kulturës evropiane, për të nxjerrë në pah pasuritë dhe diversitetin kulturor të evropianëve. (http://ec.europa.eu).

Po te ne a e luajnë rolin e tyre artistët e institucionet e kulturës? Cili është roli i galerive të artit në Shqipëri? Po roli i muzeve? Si e ruajnë ata thesarin e kulturës, që kanë në depot e tyre? Si i promovojnë vlerat e identitetit shqiptar, që janë në inventarët e tyre? Cila është marrëdhënia e tyre me publikun? A janë ata thjesht një vend ku mund të punësohen ca njerëz, sa të mos lihen në listën e të papunëve? Apo shërbejnë vetëm për ditën e përurimit të ndonjë aktiviteti, ku shpalosen markat e firmat e veshjeve e serviren verë e qofte? Çfarë do të thotë ‘ministri kulture’ për taksapaguesin shqiptar? Si e trajton Ministria e Kulturës procesin e nevojës, prodhimit dhe konsumit të artit në Shqipëri? …

Këto e 990 pyetje të tjera më shqetësonin, kur dola ekspozita ‘Artist Swatter’ e Rafet Jonuzit në galerinë ‘Miza’. 1000 pyetje, 1000 ‘miza’, që duhet të zukatin tjetërkund, nuk më lënë të fle!

Ju lutemi lidhuni që të bëni një koment.

Komente (0)

Nuk ka asnjë koment.