Anëtarësohuni  Harruat?   

Ekonomia e Artit e një Qyteti nga Andi Tepelena

Ekonomia e Artit e një Qyteti (pjesa I)

Modele zhvillimi, politikat dhe instrumentet e ndërhyrjes
Sjell kosto më të lartë të mos bësh kulturë se sa të bësh…
“Qëllimi i këtij shkrimi është të vë në dukje se rritja kulturore varet nga rritja ekonomike, por shpesh edhe ekonomia varet nga rritja kulturore. Duke cituar thënien e John Ruskin “Arti i një kombi pasqyron jetën e tij ekonomike” do përpiqem të shpjegoj marrëdhëniet që ekzistojnë midis ekonomisë dhe jetës kulturore të një qyteti bazuar në dy modele bazë:
“Modeli i parë: “ekonomi – vartësi”.
Arti dhe kultura(munumentet, veprat e artit, muzeumet, traditat popullore, shfaqjet artistike, etj) të një qyteti rriten si rrjedhojë e rritjes së tij ekonomike. Sa më i pasur ekonomikisht është një qytet aq më tepër e manifeston pasurinë e tij nëpërmjet pasurimit të jetës së vet artistike/kulturore. Pra arti është rezultat i një proçesi ekonomik . Shembulli tipik është ai i `Chartres`..
Në këtë rast qyteti lind në një vend me treg të lulëzuar, ku fluksi i njerëzve (tregtarët dhe klientët) është rritur nga arsye ekonomike dhe jo nga arsye fetare apo kulturore. Arti (në këtë rast katedralja) është një produkt i zhvillimit ekonomik (ndihmat e tregtarëve), gjë që nga ana e vet krijon flukse të reja njerëzish, pelegrinët të motivuar për arsye fetare dhe kulturore, dhe si rrjedhim do të krijojnë pasuri të re. D.m.th kultura, arti dhe zhvillimi i tyre, pra degradimi i tyre, varen nga ecuria e ekonomisë së qytetit. Sa më tepër rritet ekonomia dhe konsumi i qytetarëve, aq më shumë rritet kërkesa e njerëzve për artin/kulturën. Pra njerëzit tërhiqen nga qyteti ngaqë është qendër e rritjes ekonomike, i cili bëhet edhe qendër kulturore. Në të shumtën e rasteve njerëzit nuk shkojnë në New York për të vizituar MoMa Art, por n.q.s janë një New York ekziston mundësia ta vizitojnë atë. Pra tregtarët new york-esë të artit bashkëkor ose tregtarët londinez të artit antik, janë nga të pasurit në botë jo sepse njerësit në New York apo Londër janë specialistët më të mirë të artit, por sepse aty ka përqëndrim të klientëve dhe mbi të gjitha “tregtarë” të lëndëve të para, financierë të rëndësisë botërore
Modeli i dytë “kulturë–vartësi”.
Kultura nuk është rrjedhojë por instrument i ekonomisë së qytetit. Në këtë rast investimi dhe konsumi në kulturë dhe art bëhen instrumente për të nxitur rritjen ekonomike të qytetit, njëlloj si cfarëdo investimi tjetër. Shembulli tipik është ai i Santiago de Compostela. Qyteti lind rreth vendit të shenjtë. Fluksi i njerëzve-pelegrinëve krijohet nga arsye fetare dhe kulturore. Ndihmat ekonomike dhe konsumi i pelegrinëve bëhen shkaku parësor i zhvillimit të qytetit. Në këtë rast arti dhe kultura e qytetit janë bazë e jetës së vet ekonomike. Sa më të rëndësishëm janë “arti dhe kultura” të një qyteti aq më shumë pasurohet qyteti nga shtimi e shërbimeve turistike që krijohen rreth ngjarjeve artistike dhe kulturore. Arti bëhet motorri i procesit ekonomik. Kështu që një reduktim i konsumit të artit sjell një reduktim të shërbimeve. Shmebulli “par excellence” është modeli aktual venecian dhe i shumë qyteteve historike. Fitimet sigurohen kryesisht nga prodhimi dhe shitja e shërbimeve në të cilat një prej faktorëve prodhues më të rëndësishëm është “arti”. Këto quhen `Qytete Arti`. Të flasësh për `Qytet Arti` ka pak domëthënie nëse nuk nënvizohet raporti midis kulturës, zhvillimit ekonomik dhe fluksit turistik që e karakterizon atë. Ky model mund të pësojë ndryshime për mirë apo për keq, kushtëzon prespektivat e turizmit.
Në Venecian antike investimet në art dhe kulture (pallate, kisha, piktura, zbukurime publike, festa dhe parada) ishin rezultat i një zgjedhjeje të vetëdijshme të privatëve për të investuar një pjesë të pasurisë si shprehje e fuqisë dhe suksesit ekonomik të qytetit. Pra Venecia nuk vepronte në mënyrë të ndryshe nga një ndërrmarje e madhe moderne që investon në imazh dhe publicitet një pjesë të fitimeve të veta për të rritur kështu më tej fitimet dhe kjo fluksi i njerëzve drejt këtij qyteti është nxitur nga kjo politikë.
Ndërsa Parisi, ndryshe nga Venecia, por në të njëjtën linjë llogjike, paraqitet si produkt i një kulture administrative çentraliste që është element i vërtete kostant i zhvillimit të tij, madje edhe kur pushuan festimet e mëdha celebrative të Monarkisë dhe Perandorisë, “Turizmi” nxitet nga zhvillimi kulturor. Qyteti prodhon në mënyrë aktive kulturë dhe vizitorët e huaj bëhen pjesëmarrës të këtij prodhimi kulturor.
Krahasimi na lejon edhe të kuptojmë se si fluksi i vizitorëve mund të rezultat të njëjtë, por motivim të ndryshëm.


Ekonomia e Artit e një Qyteti (pjesa II)

[...] Ndërhyrjet në fushën e kulturës nuk përjashtojnë elementët politikë; ndërhyrjet publike efikase për të nxitur kulturën dhe artin e qytetit konsistojnë në politikat mbështetëse dhe politikat fiskale. Por kjo varet mbi të gjitha nga ideologjia e vendim marrësve.
Tre janë elementët kontradiktorë që luajnë rol në vendim marrjet:
A) trafikimi i votës brenda qeverisë, në varësi të përfaqësimit të ministrave të partive të ndryshme që kanë kolegjet në qytete të rëndësishme, si Tiranë, Shkodër, Vlorë, Durrës. Pra varet kush qytet ka më shumë peshë përfaqësimi në qeveri.
B) Ndikimi i shijeve personale të vendim-marrësëve kulturorë. Nëse pëlqejnë pop muzik, ky zhanër është më primare në preferencat e veta sesa muzika e dhomës.
C) Injoranca e konsumatorëve. Jo rrallë konsumatori është një gjykatës i keq i art/kulturës për shkak të padijes së tij.
Natyrisht mbetet i hapur problemi i standartit të cilësisë.
Të ndryshosh shije estetike? “I padituri nuk mund të gjykojë për kulturën“ thoshte John Stuart Mill.
Asnjë analizë ekonomike nuk e ka zgjidhur këtë dilemë. Vështirësia e vendimarrësve për të ndryshuar shijet njerëzve në një periudhë të shkurtër nëpërmjet investimeve kulturore. Duhet një model ndërhyrje për një periudhë të të mesme/të gjatë e konceptur për të ndryshuar shijet individuale në favor të bukurisë estetike
Pikërisht bazuar në cilësinë e dëshiruar të produktit kulturor dhe lidhjes së tij me “shijen estetike” rotullohet analiza “politike” e ndërhyrjes së vendim marrësëve kulturorë. Për çdo produkt kulturor në të cilën “interpretimi” dhe “riprodhimi” janë të lidhura në periudhat dhe shoqëritë, debati mbetet pashmangshmërisht i hapur. Është vetë natyra dhe evolucioni i konceptit të artit që e karakterizon.Mos harrojmë që Filippo Tommaso Marineti që natyrisht as që vihet në dyshim që ka qenë një njeri me sensibilitet të madh artistik deklaroi që po të ishte për të “Canal Grande“ (Kanal i Madh) në Venecia duhej të asfaltohej dhe të bëhej austrada më e bukur e botës!!
Politikat lehtësuese tatimore janë instrumentat fiskale që kanë për qëllim orientimin e veprimit privat në fushën artistike bazohen të njëjtën parim me atë të mbështetjes financiare. Ka të bëjë me aplikimin e taksave mbi të ardhurat e personave fizikë dhe juridikë në mënyrë që të ulet kosto-ja e prodhimit apo e ruajtjes së të mirave kulturore. Pra janë politika të përdorimit së tatimeve nga të ardhurat ekonomika në funksion të të mirave kulturore. Kategoritë kryesore të aktiviteteve private me lehtësira tatimore në fushën artistike janë në përgjithësi sponsorizimet kulturore, donimet me qëllim kulturor, blerjet imobiliare me destinacion kulturor, restaurimet ose menaxhimi i të mirave kulturore kur këto kanë destinacion publik.
Në rritjen e produktivitetit kulturor politikat lehtësuese tatimore kanë rezultuar realisht më efikase se sa ato të mbështetjes të drejtëpërdrejtë, veçanërisht ato që u përkasin sponsorizimeve. Shpesh vendimarrësit lokalë mund të kombinojnë politika tatimore me atë të mbështetjes financiare. Një pjesë e të ardhurave nga tatimet e komunitetit më të pasur të qytetit mund të përdoren për të mbështetur zhvillimin kulturor të qytetit. Pra, në fakt, ekonomikisht është korrekte, politikisht e papraktikueshme nëse pushtetarëve lokalë u sjell një kosto politike.
`Santa Fe` është shndërruar në pak vite në një prej qendrave më të gjalla botërore të prodhimit dhe shpërndarjes së artit bashkëkohor në nivel rajonal por edhe një treg i madh i saj falë kombinimit të duhur të politikave tatimore dhe mbështetëse të drejtëpërdrejta.
Natyrisht ky artikull nuk e ezauron argumentin. Qëllimi është të ngrihet një debat për sa i përket politikave të ndryshme jo të bazuara në mbështetjen financiare por në politika tatimore dhe transferimi të buxhetit. Eshtë një pikë fillimi dhe jo një pikë mbërritje.
Por le të vijmë te Tirana, kryeqyteti jonë dhe në të njëjtën kohë qendra kulturore dhe artistike e Shqipërise. Natyrisht nuk është `Qytet Arti` por arti dhe kultura mund të kenë ndikim në ekonominë e saj. Tirana nuk është një konglomerat i prodhimit kulturor, nuk ofron një varietet të madh stimujsh kulturorë. Kjo për mungesë edhe të industrive të artit, asaj kinematografike, muzikore. Sponsorizimet në fushën e restaurimeve janë thuajse të papërfillshme. Aktivitet në fushën e arteve pamore nuk thithin mijëra njerëz. Rritja e interesit kulturor nuk ka shkuar paralelisht me rritjen e pagave. Prodhimi kulturor do të kishte efikasitet maksimal nëse i japim vokacion turistik promovues. Sa më shumë ngjarje kulturore organizohen, aq më shumë disqe muzikorë shiten, aq më shumë dhoma hotelesh shiten, aq më shumëfishohet audienca nga përdorimi i teknologjive të reja të riprodhimit të evenimentit dhe distrubucionit masiv.
Ndërsa panorama kulturore e qyteteve tona shqiptare është ajo e vendeve të trishtuara, të pista, pa shërbime dhe struktura, me një gjëndje degraduese dhe një korrupsion gjithnjë e më evident. Asnjë nuk ka forcë të reagojë, përpara një klase politike të paaftë dhe cinike që tërhiqet midis kompromiseve, premtimeve të munguara, burokraci antihistorike. Por mbi të gjitha të paafta. Duke përmendur një thënie të një poeti që “korrupsioni nuk është më e keqja e të gjitha të këqijave” do të thoja që është idiotësia, mungesa e dinamizmit, pra cinizmi. Nuk kemi parë të realizohet një projekt të madh kulturor për qytetet tona. Janë lager rezidencialë dhe kulturorë.
Perballë degradimit ekonomik të jetës kulturore/artistike të qyteteve, zgjidhjet që kanë dhënë qeveritë e shumë vende ka qenë mbështetja financiare herë pas here i ndërmarjeve, rikualifikimi urban në zona të caktuara të qytetit, nxitja e turizmit, restaurimi dhe krijimi i aftësive menaxhuese të strukturave kulturore që të prodhojnë kulturë. Transferimi i buxhetit të qeverisë qëndrore te privatët ose te qeveria vendore në mënyrë nxisit mbi të gjitha ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe të veprave të artit (pikturat, skulpturat).
Nuk po mar shembullin e lagjeve të New York-ut (Soho in primis që nga nja lagje e deprimuar falë një vendimi të administratës lokale që autorizoi tranforminimin e këtyre lokaleve në sudio dhe banesa. Galeritë e para kurajozë filluan të instalohen në këtë pjesë të `New York-ut` duke u dhënë mundësi nëpërmjet kredive lehtësuese. Dhe `Soho` sot është vitrina e artit dhe modës new york-ese për botën, duke nxitur flukse të reja të ardhurish, turizëm, investime me fitim të lartë. Por mbi të gjitha `Harlemi`, një herë zonë e degraduar në atë pikë sa që taksitë kishin frikë të hynin, pak nga pak po bëhet perla të jetës sociale, e jetës kulturore dhe humane. Nuk flas për Parisin dhe Francën, nuk dua të mendoj as për Berlinin, as për Madridin ose Barcelonën. Mjafton të mendojmë `Pragën` me projektet e saj të reja dhe të realizuara. Qytetet e tjera që transformohen dhe modifikohen për mirë dhe jetojnë me entuziazem dhe energji të madhe aspektet e shumta të jetës moderne, duke ofruar shërbime dhe struktura që ne tiranasit dhe banorër e qyteteve kryesorë ja kemi gjithnjë zilinë botës.

Ju lutemi lidhuni që të bëni një koment.

Komente (0)

Nuk ka asnjë koment.